Qeveria ka bërë të ditur relacionin shoqërues të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes, një organizatë ndërkombëtare e re që synon të promovojë paqen dhe stabilitetin në rajonet e prekura nga konflikti. Projektligji pritet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë me procedurë të përshpejtuar, duke u konsideruar një hap strategjik për pozicionimin ndërkombëtar të vendit.
Sipas dokumentit zyrtar, marrëveshja është miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave me vendimin nr.45, datë 21 janar 2026, dhe parashikon që Shqipëria, e përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, të bëhet pjesë e Kartës themeluese të Bordit të Paqes.
Çfarë është Bordi i Paqes
Bordi i Paqes është një organizatë ndërkombëtare me personalitet juridik ndërkombëtar, e krijuar për të promovuar stabilitetin, rivendosur qeverisjen legjitime dhe siguruar paqen e qëndrueshme në territore të prekura ose të kërcënuara nga konflikti. Veprimtaria e Bordit do të zhvillohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe do të funksionojë si një platformë për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e paqes dhe sigurisë.
Roli i Shqipërisë dhe statusi i anëtarit themelues
Relacioni thekson se pjesëmarrja e Shqipërisë në Bord përfaqëson një zhvillim me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e vendit. Shqipëria do të ketë statusin e anëtarit themelues, duke siguruar një rol të barabartë në formësimin e vizionit, parimeve dhe arkitekturës vendimmarrëse të Bordit.
Qeveria nënvizon se ky status rrit profilin ndërkombëtar të vendit dhe e pozicionon Shqipërinë si një faktor stabiliteti dhe aktor paqeje, veçanërisht në proceset që synojnë zgjidhjen e konflikteve të shumëvjeçare, përfshirë edhe ato në Lindjen e Mesme. Dokumenti përshkruan gjithashtu këtë zhvillim si një konfirmim të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Struktura dhe funksionimi i Bordit të Paqes
Sipas Kartës, Bordi do të drejtohet nga një Kryetar dhe do të ketë dy struktura kryesore vendimmarrëse: Bordin e Shteteve Anëtare dhe Bordin Ekzekutiv. Vendimet do të merren me shumicë votash, por kërkojnë konfirmimin e Kryetarit, i cili ka të drejtën e vetos dhe autoritetin përfundimtar interpretues.
Anëtarësimi i shteteve do të bëhet me ftesë dhe do të ketë mandat trevjeçar me mundësi rinovimi. Përjashtim bëjnë shtetet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të parë, të cilat nuk kanë kufizim trevjeçar. Karta garanton ruajtjen e sovranitetit të shteteve anëtare, duke përcaktuar se Bordi nuk ka juridiksion brenda territoreve të tyre dhe nuk mund t’i detyrojë të marrin pjesë në misione pa pëlqimin e shprehur.
202601212027088434RELACION – RATIFIKIM – BORDI I PAQES
202601212027088210RATIFIKIM – BORDI I PAQES
Financimi dhe imunitetet
Bordi do të financohet nga kontributet vullnetare vjetore të shteteve anëtare. Organizata dhe personeli i saj do të gëzojnë personalitet juridik ndërkombëtar, si dhe privilegje dhe imunitete të nevojshme për ushtrimin e funksioneve, të rregulluara përmes marrëveshjeve me shtetet pritëse.
Efektet financiare për Shqipërinë
Relacioni sqaron se miratimi i projektligjit në këtë fazë nuk sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Megjithatë, anëtarësimi në Bord do të kërkojë në të ardhmen kontribute financiare vullnetare, të cilat do të përfshihen në buxhetin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe në planifikimet afatmesme buxhetore 2027–2029.
Zbatimi i marrëveshjes
Për zbatimin e projektligjit do të ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa për zbatimin e marrëveshjes do të përfshihen edhe Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Marrëveshja për themelimin e Bordit të Paqes është një initiativë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mbështetet nga rezoluta nr. 2803 (2025) e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke e bërë këtë hap një moment kyç në afirmimin e Shqipërisë si partner strategjik në politikat e paqes dhe sigurisë globale.


