Eric Dane, një nga aktorët më të dashur të serialit “Grey’s Anatomy”, ka zbuluar publikisht se vuan nga skleroza laterale amiotrofike (ALS), një sëmundje neurodegjenerative e rëndë dhe progresive. Aktori, i njohur për rolin e kirurgut plastik Mark Sloan – ose siç njihej ndryshe “McSteamy” për sharmin dhe karizmën e tij – e bëri të ditur lajmin vetë.
“Jam diagnostikuar me ALS. Jam mirënjohës që kam pranë familjen time në këtë kapitull të ri. Ndihem me fat që ende mund të vazhdoj punën”, – u shpreh aktori.
Dane pritet të rikthehet në xhirimet e sezonit të katërt të serialit të suksesshëm të HBO-së, “Euphoria”, ku ai luan rolin e Cal Jacobs, babait të protagonistit Nate.
Për aktorin, përmendja e familjes në këtë moment është domethënëse: vetëm një muaj më parë, bashkëshortja e tij, Rebecca Gayheart, kërkoi revokim të kërkesës për divorc, të cilën e kishte paraqitur në shkurt të vitit 2018 pas 14 vitesh martesë. Çifti ka dy vajza, Billie Beatrice, 15 vjeçe, dhe Georgia Geraldine, 13 vjeçe.
ALS është një sëmundje që dëmton gradualisht qelizat nervore dhe çon në humbje të kontrollit mbi muskujt, duke kufizuar gjithnjë e më shumë lëvizjen dhe funksionet bazë trupore.


