Serbia ka treguar sërish fytyrën e saj nacionaliste në ceremoninë e hapjes së segmentit të ri të autostradës Pakovraće–Požega. Presidenti Aleksandër Vučiç, përtej fjalimeve për zhvillimin ekonomik, u zhyt në një atmosferë nostalgjie, duke kënduar me pasion këngë çetnike si “Garda e Mbretit Petra që marshon” dhe “Morem plovi jedna mala barka”, këngë dedikuar gjeneralit kriminel të luftës Draža Mihailović.
Pamjet tregojnë Vuçiçin duke i shpërblyer muzikantët që glorifikojnë “bajonetat serbe”, duke përcjellë një mesazh të qartë për ata që mbajnë ende gjallë kujtimin e përplasjeve të dhunshme të viteve ‘90.
Ndërsa vëmendjen tërhoqi edhe një figurë e pazakontë: Demo Berisha, ministër në Qeverinë e Serbisë dhe president i Partisë Përparimtare Serbe, i lindur në Pejë, që ka qenë oficer i ushtrisë jugosllave dhe pjesëtar i policisë ushtarake serbe. Berisha, që refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, u shfaq duke mbajtur ritmin dhe duke i përkrahur këngët që nderojnë forcat përgjegjëse për dhunën ndaj shqiptarëve.
Autostrada 19.5 km me ura dhe tunele gjigante është vetëm fasada e këtij eventi, ndërsa mesazhi që përcjell është i qartë: Serbia e Vuçiçit vazhdon të ringjallë nostalgjinë çetnike, me mbështetjen e shqiptarëve që janë të angazhuar në institucionet e saj.


