Një konflikt i zgjatur për paratë dyshohet se mund të ketë qenë një nga shkaqet që çoi në ngjarjen tragjike në Roskovec, ku humbën jetën tre persona. Në qendër të hetimeve janë rreth 400 mijë paund, të cilat dyshohet se Refit (Nertil) Buzi i kishte siguruar gjatë qëndrimit në Britaninë e Madhe.
Sipas deklarimeve të familjes së Buzit, 35-vjeçari i kishte dërguar ish-partneres së tij, Rozalinda Plaka, rreth 180 mijë paund gjatë kohës që jetonte në Britani. Pas ndarjes së çiftit, familja e vajzës dyshohet se nuk pranoi t’ia kthente shumën, duke bërë që konflikti mes palëve të përshkallëzohej.
Marrëdhënia mes Buzit dhe ish-partneres së tij kishte qenë e tensionuar prej kohësh. Familjarët e Rozalindës kanë deklaruar se 35-vjeçari e kishte kërcënuar disa herë dhe se ndaj tij ishin ndërmarrë edhe masa ligjore, por situata përfundoi në mënyrë tragjike.
Sipas hetimeve paraprake, Buzi vrau prindërit e ish-partneres së tij në fshatin Vidhisht, më pas mori peng Rozalindën dhe për disa orë u përball me forcat e policisë që kishin rrethuar zonën. Pas negociatave të gjata, ai refuzoi të dorëzohej dhe i dha fund jetës duke përdorur të njëjtën armë me të cilën dyshohet se kreu krimin.
Prindërit e Refit Buzit kanë deklaruar se shkak i konfliktit ishin paratë që djali i tyre kishte dërguar nga Britania e Madhe. Ata pretendojnë se familja Plaka nuk pranoi t’ia kthente shumën dhe se kishte refuzuar edhe një propozim për kthimin e vetëm një pjese të saj.
Ndërkohë, Refit Buzi rezulton se kishte precedentë penalë në Britaninë e Madhe. Në vitin 2022, ai u rrëmbye dhe u mbajt peng për 12 ditë nga disa persona, të cilët sipas raportimeve kërkonin 400 mijë paund në këmbim të lirimit të tij. Pas denoncimit të familjes dhe ndërhyrjes së autoriteteve britanike, ai u lirua dhe u kthye në Shqipëri.
Pas kthimit në vend, mosmarrëveshjet për paratë vijuan dhe, sipas familjarëve të Buzit, përplasjet mes dy familjeve u thelluan me kalimin e kohës.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar motivet e sakta që çuan në tragjedinë ku humbën jetën tre persona.


