Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Siguria”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Si rezultat i këtij aksioni u arrestuan në flagrancë tre shtetas:
- E. K., 42 vjeç, banues në Shkodër;
- A. I., 18 vjeç, banues në Shkodër;
- I. A., 18 vjeç, banues në Londër.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj 42-vjeçarit E. K., i cili ndodhej në ambientet e një lokali në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një dozë të lëndës së dyshuar narkotike kokainë.
Në momentin e kontrollit, së bashku me E. K. ndodheshin edhe dy shtetasit e tjerë, A. I. dhe I. A., të cilët u arrestuan për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjatë kontrollit ndaj shtetasit A. I. u gjet dhe u sekuestrua gjithashtu një cigare me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e veprimeve hetimore.


