Vendimi për vrasjen në Fier: 12 vite burg për autorin, lirohet bashkëpunëtori i mitur
Gjykata e Fierit ka dhënë vendimin për vrasjen e 20-vjeçarit Grei Bihuci, që ndodhi më 11 mars 2024 në qendër të qytetit. Florian Muka, 19 vjeç, e pranoi fajin dhe kërkoi falje, ndaj u dënua me 12 vite burg, duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar. Fillimisht prokuroria kërkoi 25 vite burg për të.
Ndërsa vëllai i tij i mitur, 16-vjeçar, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes, u dënua me 1 vit burg për moskallëzim krimi, dënim që e ka shlyer gjatë paraburgimit dhe tashmë është i lirë.
Ngjarja nisi pas një konflikti në rrjetet sociale, që përshkallëzoi në përleshje fizike. Viktima u godit me thikë dhe ndërroi jetë në vend, ndërsa shoku i tij u plagos teksa tentoi të ndërhynte.


