Vrasja e 18-vjeçarit Henry Nowak është kthyer në qendër të protestave të mëdha në Britaninë e Madhe, ndërsa familjarë, aktivistë dhe qytetarë kërkojnë përgjigje për rrethanat e ngjarjes dhe reagimin e policisë.
Ngjarja ndodhi në dhjetor të vitit 2025 në Southampton. Sipas dosjes gjyqësore, i riu po kthehej në shtëpi pas një mbrëmjeje me miqtë kur u përball me 23-vjeçarin Vickrum Digwa, i cili e sulmoi me një thikë ceremoniale kirpan. Studenti u godit pesë herë, përfshirë një plagë fatale në kraharor. Pavarësisht përpjekjeve për t’u larguar, ai humbi një sasi të madhe gjaku.
Sipas raportimeve, kur policia mbërriti në vendngjarje, autori pretendoi se kishte qenë viktimë e një sulmi racist dhe se kishte vepruar në vetëmbrojtje. Megjithatë, hetimet dhe procesi gjyqësor rrëzuan këto pretendime.
Publikimi i pamjeve nga kamerat trupore të policëve ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik. Në video, 18-vjeçari dëgjohet duke u thënë oficerëve se ishte goditur me thikë dhe se kishte vështirësi në frymëmarrje, ndërsa efektivët fillimisht e trajtuan si të dyshuar. Pak minuta më vonë, ai humbi ndjenjat dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Gjatë protestave të zhvilluara në disa qytete britanike, babai i viktimës deklaroi se “Henry nuk vdiq me dinjitet”, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan drejtësi dhe transparencë të plotë për mënyrën se si u menaxhua ngjarja nga autoritetet.
Mes figurave që morën pjesë në tubime ishte edhe Tommy Robinson, i cili e lidhi rastin me kritika ndaj institucioneve shtetërore dhe policisë. Deklaratat e tij kanë nxitur debat të gjerë publik dhe politik.
Në përfundim të gjyqit, Digwa u shpall fajtor për vrasje dhe u dënua me burgim të përjetshëm, me të drejtë për të kërkuar lirim me kusht vetëm pas kryerjes së të paktën 21 viteve burg. Gjykata hodhi poshtë pretendimin e tij për vetëmbrojtje. Ndërkohë, nëna e tij u dënua për fshehjen e armës së përdorur në krim.
Rasti ka shkaktuar reagime edhe në nivelet më të larta të politikës britanike. Kryeministri Keir Starmer ka deklaruar se ekzistojnë “pyetje serioze” mbi veprimet e policisë, ndërsa autoritetet kanë nisur një hetim të pavarur për të shqyrtuar sjelljen e efektivëve në vendngjarje.


