Hetuesit italianë nuk janë të bindur ende për autorësinë dhe motivet e krimit makabër të vrasjes së 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula nga Mark Samson. Kjo është arsyeja që ata ende po hetojnë intensivisht krimin, duke nxjerrë në sipërfaqe prova të reja.
Hetimet me sa duket po marrin një kthesë të re dramatike. Hetuesit italianë kanë zbuluar gjurmë të një ADN-je të dytë mashkullore, që nuk i përket Mark Samsonit, kriminelit të rrëfyer dhe aktualisht në paraburgim.
Sipas mediave italiane, gjurmë ADN-je janë zbuluar në një palë këpucë dhe në valixhen ku ishte vendosur trupi pa jetë i Ilarias, i cili më parë ishte mbështjellë me një qese mbeturinash. Këto prova ngrenë dyshime serioze mbi versionin e ngjarjes që Mark Samsoni ka mbrojtur deri më tani, sipas të cilit ai ka vepruar i vetëm.
“Unë i kam bërë të gjitha vetë,” ka deklaruar ai para hetuesve. Megjithatë, tashmë po forcohet hipoteza e përfshirjes së një bashkëpunëtori në fshehjen e trupit dhe pastrimin e vendngjarjes.
Sipas të dhënave hetimore, nëna e Samsonit ka pranuar se e ka ndihmuar të birin për të pastruar dhomën nga gjurmët e gjakut të viktimës. Ajo, së bashku me Markun, ndodhej në banesë më 26 mars, ndërkohë që dyshohet se krimi ka ndodhur një ditë më parë, më 25 mars, në mbrëmjen kur Ilaria kishte shkuar për herë të fundit në shtëpinë e ish-partnerit të saj.
Ajo që e komplikon edhe më tej situatën është fakti se, sipas rindërtimit të hetimeve, edhe babai i Samsonit ndodhej në shtëpi gjatë mbrëmjes kur dyshohet se ndodhi vrasja. Kjo prani shton dyshimet për një bashkëpunim familjar në fshehjen e provave apo ndoshta edhe përfshirje direkte në ngjarje.
Një tjetër element shqetësues i këtij rasti është përpjekja e Samsonit për të krijuar përshtypjen se Ilaria ishte ende gjallë, duke dërguar mesazhe të rreme nga celulari i saj pas vdekjes. Këto veprime synonin të mashtronin familjarët dhe autoritetet për disa ditë.
Ndërkohë që hetimet vazhdojnë me intensitet, një letër faljeje i është dërguar familjes së Ilarias. Megjithatë, prindërit e saj e kanë refuzuar kategorikisht, duke e konsideruar këtë akt si të papranueshëm dhe fyes.
“Nuk i pranojmë. Nuk mund të ketë falje për një krim kaq të rëndë dhe çfarë i është bërë vajzës sonë,” – kanë deklaruar ata me dhimbje.
Ngjarja tragjike në Romë vazhdon të tronditë opinionin publik si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri. Zbulimi i një gjurme të dytë të ADN-së mashkullore mund të çojë në një arrestim të dytë, ose edhe të tretë, nëse prania e babait rezulton e lidhur me krimin.
Ky hetim po nxjerr në dritë një ngjarje të ndërlikuar, ku përzihen manipulimi, heshtja dhe bashkëpunimi familjar, duke treguar se ky nuk ishte një akt i izoluar impulsiv. Drejtësia italiane po vijon përpjekjet për të zbardhur të gjithë të vërtetën dhe për të identifikuar personin e dytë të përfshirë në vendngjarje.