Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar lidhur me ngjarjen tragjike në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra dhe dy persona të tjerë mbetën të plagosur.
Në një deklaratë për media, Koçiu shprehu tronditjen dhe dënoi aktin e dhunës:
“Thellësisht e tronditur nga lajmi i rëndë i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosja e dy qytetarëve brenda sallës së gjykatës. Dënoj me forcë këtë akt barbar dhune dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës dhe kolegët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve.”
Ministrja theksoi se Forcat e Policisë së Shtetit ndërhynë menjëherë në vendngjarje dhe se, sipas ligjit, nuk kanë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave.
“Autori u ndalua menjëherë dhe kemi angazhuar ekspertët më të mirë për të shqyrtuar, në bashkëpunim me prokurorët, përmbushjen e detyrave të ligjit nga punonjësit e sigurisë së gjykatës,” tha Koçiu.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe motivit të krimit vijojnë intensivisht.


