Gazeta belge Het Laatste Nieuws (HLN) i ka kushtuar një artikull të detajuar çështjes së Franc Çopja, i dënuar me 25 vite burg nga drejtësia belge për porositjen e vrasjes së Ardit Spahiu.
Sipas medias belge, Çopja dhe grupi i tij e konsideronin veten të paprekshëm, derisa vrasja e ndodhur më 27 nëntor 2020 në Sint-Jans-Molenbeek solli përshkallëzimin e konfliktit mes klaneve shqiptare edhe në Bruksel.
Lufta e klaneve dhe atentati në Belgjikë
Spahiu ishte zhvendosur në Belgjikë në vitin 2019, pasi druhej për jetën në Shqipëri për shkak të konfliktit mes klanit Çopja dhe familjes Alibej, të dyja të përfshira në trafik ndërkombëtar kokaine.
Atentati ndodhi në mes të ditës: një person zbriti nga një makinë dhe e qëlloi Spahiun me nëntë plumba, duke i shkaktuar 18 plagë. Ai humbi jetën në vendngjarje.
Zbërthimi i “Sky ECC” dhe arrestimet
Hetimet morën kthesë pas thyerjes së aplikacionit të koduar Sky ECC, përmes të cilit autoritetet identifikuan të përfshirët në krim.
Në fund të dhjetorit 2023, Çopja u dorëzua nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Belgjikë, duke u bërë një nga rastet e para të ekstradimit nga Dubai për çështje të krimit të organizuar.
Dënimet
Pas një procesi gjyqësor më shumë se njëvjeçar, gjykata dënoi:
Franc Çopjan me 25 vite burg për porositjen e vrasjes;
Mikael Qosjan me burgim të përjetshëm;
Flobenc Meçjan me burgim të përjetshëm si ekzekutor;
Elton Roçin me 20 vite burg;
Elvis Muratajn me 8 vite burg;
Eljo Bitrin me 5 vite burg, i cili bashkëpunoi me drejtësinë dhe përfitoi statusin e dëshmitarit të mbrojtur.
Sipas HLN, çështja shënoi fundin e mitit të “paprekshmërisë” së klanit, ndërsa drejtësia belge arriti të zbardhë një nga episodet më të rënda të përplasjes së grupeve kriminale shqiptare në Evropë.


