Kryeministri Edi Rama mori pjesë mbrëmjen e sotme në ceremoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj të Kursit të Përgatitjes së Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se kjo është një ditë e rëndësishme për të diplomuarit e rinj, familjet e tyre dhe Forcat e Armatosura, duke vlerësuar zgjedhjen e tyre për t’i shërbyer vendit me uniformën e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës.
“Jam i bindur që, nëse për vajzat dhe djemtë që sot hyjnë në rrugën e shërbimit është emocion, për prindërit është një emocion shumë i veçantë, sepse shohin të kurorëzohet një rrugë e gjatë e mirëedukimit dhe mbështetjes me çdo sakrificë për fëmijët e tyre, të cilët sot janë shërbëtorë të atdheut, shërbëtorë me uniformë të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se Forcat e Armatosura kanë kaluar një transformim të madh krahasuar me vitet e mëparshme, duke theksuar se sot ushtria shqiptare është më e mbështetur dhe më e motivuar.
Sipas Ramës, ndryshimi është i dukshëm edhe në kushtet e infrastrukturës dhe trajtimit të ushtarakëve.
“Është krenari sepse sot e kam të pamundur të mos kujtoj se në çfarë situate dramatike ka nisur ringritja dhe konsolidimi i Forcave tona të Armatosura. Kjo fushë këtu, që sot shkëlqen dhe na mirëpret, ka qenë një fushë dheu e papërdorshme. Dallimi mes asaj fushe dhe kësaj sot është simbolik me dallimin se si sot Forcat e Armatosura janë të mbështetura dhe të motivuara”, u shpreh ai.
Rama tha se për një kohë të gjatë ushtarakët kanë qenë ndër profesionistët më pak të paguar, por sipas tij kjo situatë ka ndryshuar.
“Sot ne kemi forcat më të mirëpaguara të rajonit dhe nuk do të ndalemi së rrituri pagat”, deklaroi kryeministri.
Ai shtoi se përkujdesja ndaj ushtarakëve nuk lidhet vetëm me pagat, por edhe me përmirësimin e statusit të tyre. Rama bëri me dije se një projekt për këtë çështje është në fazat përfundimtare.
“Jemi fare pranë realizimit edhe të një zotimi tjetër për statusin e tyre. Diçka është gati, është raundi i fundit i boksit mes ministrit të Mbrojtjes dhe Financave, por unë, që më detyrojnë të bëj arbitrin, jam me ministrin e Mbrojtjes. Do ta japim shumë shpejt si një lajm të shumëpritur”, tha ai.
Kryeministri u ndal edhe te rëndësia e shërbimit ushtarak, duke theksuar se uniforma kërkon sakrificë dhe përkushtim të madh.
“Është një jetë që askush që nuk e bën nuk e di deri në fund se çfarë sakrifice përbën për ata që veshin uniformën dhe për fëmijët e tyre, që shpesh u mungojnë, sepse detyra i kërkon në fronte dhe situata të vështira”, tha Rama.
Ai vlerësoi edhe rritjen e interesit të të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura, duke e cilësuar këtë si shenjë të një transformimi të qëndrueshëm.
“Kur shoh sot se si po ndryshon prirja dhe se si numri i atyre që po vihen në radhët e aplikantëve rritet, kjo është shenja më e sigurt e një transformimi që nuk ndalet më”, u shpreh kryeministri.
Ceremonia e diplomimit shënoi përfundimin e përgatitjes së 67 oficerëve të rinj, të cilët tashmë do t’i bashkohen strukturave të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.


