Një denoncim i fortë ka tronditur Partinë Demokratike në qarkun Durrës, ku kandidati i listës së hapur, Aulon Kalaja, ka akuzuar publikisht strukturat brenda forcës së tij politike për manipulim dhe trafikim votash.
I ftuar në emisionin “Top Story”, Kalaja deklaroi se rezultati i tij, 7255 vota preferenciale është deformuar nga ndërhyrje të brendshme në kutitë e votimit, duke i dhënë mandatin një tjetër kandidati, ish-prokurorit Arian Ndoja, i cili ka marrë 8209 vota.
“Votat jo vetëm që m’i kanë vjedhur, por i kanë trafikuar brenda kutisë. E kam me konkurrentët brenda partisë. Kam bërë thirrje që telefonin tim ta venë në përgjim. Nuk kam blerë vota dhe nuk njoh njerëzit që më kanë votuar. Do e çoj në Prokurori këtë çështje. Dikush duhet të bëhet shembull”, – u shpreh Kalaja me tone të ashpra.
Ai theksoi se ka kërkuar zyrtarisht nga SPAK që ta hetojë personalisht dhe të marrë masat për verifikimin e të gjithë procesit, duke lënë të kuptohet se brenda listës së PD-së janë konsumuar veprime të rënda penale.
Kallëzimi i paralajmëruar nga Kalaja mund të çojë në një përplasje të re brenda PD-së, në një moment kur partia ndodhet në krizë pas rezultateve të dobëta të zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës dhe tensioneve për listat e hapura.


