TIRANË– Ditën e sotme nga Komisioni i Sterilizimit, kryetarja Albana Vokshi, në fjalën e saj në nisje të mbledhjes, u shpreh se dëshmitarët nuk po paraqiten për të dëshmuar.
Ndër të tjera ajo deklaroi se dëshmitarët paraqesin epikriza dhe raporte për të shmangur marrjen në pyetje nga komisioni hetimor parlametnar, duke iu referuar edhe dy dëshmitarëve që ishin parashikuar për të qenë pjesë e mbledhjes së sotme, Artan Lleshi dhe Altin Biba.
“Po avullojnë dëshmitarët, kanë nisur të gjithë të sëmuren rëndë, sjellin epikriza dhe raporte 10 ditore. Lëmi 2 dëshmitarë që ishin thirrur sot për të dëshmuar, Altin Biba sjell një raport 10 ditor dhe nuk paraqitet. Artan Lleshi solli epikrizë që nuk është as raport, për dyshime për një problem shëndetësor. E solli sot paradite edhe pse epikriza u bë me 18 tetor, sjellje jo serioze. Dëshmia e tij sipas nesh ishte kyçe. Administratoret dhe aksionerët e 3 prej 4 kompanive që merren me sterilizimin, kanë marrë miliona si kompani dhe konsulentë, kanë refuzuar 2 herë dëshminë. Kanë deklaruar se janë në Rumani dhe interesin privat e konsiderojnë më të rëndësishëm se pjesëmarrja në komision. T’i thërrasim të paraqiten të hënën pranë komisionit dhe të dëshmojnë, ose ndryshe do të kërkohet ndihma e policisë dhe do të merren masat e nevojshme për të siguruar pjesëmarrjen e tyre në komision.”– tha ajo./Radar.al


