Fermerët në Greqi vijojnë përshkallëzimin e protestave, duke bllokuar rrugë anësore dhe segmente kryesore të qarkullimit, çka ka shkaktuar radhë kilometrike automjetesh në disa zona të vendit.
Pasditen e së premtes, fermerët në Halkidë bllokuan urën e re të qytetit në të dyja drejtimet, e cila pritet të qëndrojë e mbyllur për rreth tre orë. Protesta të ngjashme u zhvilluan edhe në Thesali, ku me traktorë dhe autokombajna u mbyll rruga anësore që lidh Larisën, si dhe kryqëzimi i Platikambos.
Ndërprerje të trafikut janë shënuar edhe në rrugën e vjetër kombëtare Larisa–Volos dhe në fshatin Achillios, ndërsa policia ka ndërhyrë për të devijuar qarkullimin në rrugë alternative.
Radhë të gjata u formuan edhe në Promachonas, pasi fermerët bllokuan për disa orë pikën kufitare për kamionët ndërkombëtarë. Bllokime u raportuan gjithashtu në Bralo, Malgara dhe Kalqedonë, duke prekur lidhjet drejt Selanikut, Lamias dhe Athinës.
Autoritetet greke kanë publikuar skema të detajuara devijimi për automjetet dhe kanë urdhëruar parkimin e përkohshëm të kamionëve në stacionet e shërbimit, për të shmangur kaosin në akset kryesore.
Sipas mediave lokale, fermerët kanë vendosur të vijojnë mobilizimet edhe ditët në vijim. Për fundjavën parashikohet hapja e përkohshme e pikave të pagesës dhe disa segmenteve rrugore, ndërsa të hënën pritet një tjetër mbyllje tre-orëshe e rrugëve anësore.








