Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas mosvendimit të Gjykata Kushtetuese, duke theksuar se çështja nuk lidhet me individë, por me parimin e ndarjes së pushteteve. Në një deklaratë publike, ai tha se vendimi për pezullimin e një ministri në kuadër të një mase sigurimi penal ka nxjerrë në pah një boshllëk në legjislacion, i cili sipas tij duhet adresuar menjëherë.
Rama argumentoi se drejtësia ka të drejtë të vendosë masa sigurimi për çdo person nën hetim, por theksoi se funksioni i ministrit është i padelegueshëm dhe pezullimi i tij prodhon pasoja të barabarta me shkarkimin. Sipas tij, emërimi dhe shkarkimi i ministrave është kompetencë ekskluzive e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ dhe nuk mund t’i transferohet gjyqësorit.
Ai shtoi se pavarësia e pushtetit gjyqësor është e panegociueshme, por ajo përfundon aty ku nis pavarësia e pushteteve të tjera kushtetuese. Për këtë arsye, Rama njoftoi se të hënën, në cilësinë e deputetit, së bashku me Taulant Ballën dhe Ulsi Manjën, do të depozitojë një nismë ligjore për të adresuar boshllëkun e konstatuar.
Sipas tij, nisma do t’i paraqitet fillimisht Grupit Parlamentar dhe më pas do të prezantohet publikisht në prani të medias, me synimin për të sqaruar qartë kufijtë e kompetencave mes pushteteve dhe për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen


