Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka vijuar mbrojtjen e tij në seancën në Gjykatën Kushtetuese, ku kundërshton vendimin e qeverisë për ta pezulluar nga detyra.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj denoncoi atë që e cilësoi si “standard i dyfishtë”, duke sjellë si shembull rastin e kreut të Bashkisë Rrogozhinë, i cili sipas tij vazhdon të ushtrojë detyrën, ndonëse është dënuar me një vit burg.
“Kreu i Bashkisë Rrogozhinë është dënuar me një vit burg dhe është ende në detyrë. Unë jam i padënuar, i pafajshëm dhe nuk lejohem të ushtroj funksionin tim. Do më binte më mirë të bëja një krim e të shkoja në Apel, apo të mbroj pafajësinë time dhe të rrezikoj paraburgimin? Po aplikohet një standard i dyfishtë”, deklaroi Veliaj.
Ai argumentoi se masat e marra ndaj tij janë të pajustifikuara dhe selektive, duke kërkuar që Gjykata Kushtetuese të rivlerësojë vendimin e qeverisë.


