Dy lëkundje sizmike relativisht të forta janë regjistruar këtë të martë në ishullin Skiathos, duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.
Tërmeti i parë, me magnitudë 4.7 ballë të shkallës Rihter, u shënua rreth orës 14:12 me orën lokale. Sipas Instituti Gjeodinamik i Observatorit Kombëtar të Athinës, epiqendra ishte në perëndim-veriperëndim të ishullit, në një thellësi prej rreth 12 kilometrash.
Vetëm pak më vonë, pas disa lëkundjeve më të lehta që varionin nga 2.5 deri në 3.3 Rihter, një tjetër tërmet më i fortë goditi zonën në orën 16:07. Kjo lëkundje arriti magnitudën 4.9 Rihter dhe kishte epiqendrën rreth 8 kilometra në perëndim të Skiathos, në një thellësi prej 14.1 kilometrash.
Tërmetet janë ndjerë jo vetëm në ishujt e Sporadeve Veriore, por edhe në qytetin e Volos dhe në disa zona të Atikë, duke shkaktuar panik të lehtë te qytetarët. Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohen dëme materiale.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit në këtë zonë janë regjistruar dhjetëra lëkundje sizmike, ndërsa më të fortat mbeten ato me magnitudë 4.7 dhe 4.9.
Ndërkohë, sizmologu Gerasimos Papadopoulos ka bërë thirrje për vigjilencë, duke paralajmëruar se lëkundjet e para mund të kenë qenë pararendëse dhe se situata kërkon monitorim të vazhdueshëm nga ekspertët.


