Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në emisionin “Log.” në News24, ka zbuluar një element të ri tronditës në lidhje me ngjarjen e rëndë në Frashër të Fierit, ku një vajzë 26-vjeçare, Emanilda Rama akuzohet se ka mbytur të atin, 56-vjeçarin Anesti Rama.
Sipas Hoxhës, përveç mbytjes me tel në qafë, viktima është masakruar edhe në organet gjenitale, çka ka shtuar dyshimet për përfshirjen e më shumë se një autori në këtë ngjarje të rëndë. Policia po heton mundësinë e bashkëpunëtorëve të tjerë, përfshirë dyshimet për rolin e nënës së vajzës.
“Ky nuk është një akt i zakonshëm. Fillimisht vajza nuk e pranoi krimin, por më vonë tha se i ati nuk e linte të vishej apo të dilte. Megjithatë, dëshmia e saj është vënë në dyshim. Nga informacionet që kam, viktima ishte larë, gjurmët ishin tentuar të fshiheshin, por ajo që e shton dyshimin është masakrimi në pjesët intime, që tregon një urrejtje të akumuluar, apo edhe pjesëmarrje të më shumë personave në vrasje,” u shpreh gazetari.
Ngjarja vazhdon të hetohet nga policia dhe prokuroria, ndërsa pritet zbardhja e plotë e motiveve dhe identifikimi i çdo personi të përfshirë në krim.

