Një ngjarje tronditëse ka tronditur Fierin, ku një 26-vjeçare ka vrarë babanë e saj në banesën familjare, më pas ka tentuar ta paraqesë krimin si aksident. Emanilda Rama, banore e fshatit Frashër, e pranoi krimin pas disa orësh hetimi në komisariat, duke rrëfyer se e kishte mbytur të atin, Anesti Rama, 56 vjeç, me një tel.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia dhe Prokuroria e Fierit, ngjarja ndodhi mbrëmjen e 23 korrikut 2025. Fillimisht, vajza njoftoi se i ati kishte ndërruar jetë në mënyrë aksidentale, por dyshimet e hetuesve mbi versionin e saj çuan në hetime të thelluara.
Emanilda Rama, e cila ishte rikthyer së fundmi në shtëpinë e prindërve pas ndarjes nga partneri dhe jetonte në kushte të vështira ekonomike, tregoi se kishte përjetuar vite të tëra kontrolli, presioni dhe izolimi nga babai. “Ma nxiu jetën. I mbante lekët për vete, nuk më blinte as rroba, asgjë. E urreja,” – mësohet të ketë deklaruar ajo gjatë marrjes në pyetje.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se 26-vjeçarja nuk ka raportuar dhunë fizike, por ka përshkruar të atin si një burrë fanatik dhe autoritar që nuk e lejonte të vishej si bashkëmoshataret apo të dilte për qejf. Konfliktet në familje ishin shtuar ndjeshëm në muajt e fundit.
Në tentativë për të fshehur krimin, Emanilda dyshohet se është ndihmuar nga nëna e saj, 53-vjeçarja Violeta Rama, e cila dyshohet se ka pastruar trupin e viktimës për të krijuar idenë e një aksidenti. Të dyja u morën në pyetje, ndërsa 26-vjeçarja e pranoi më pas në mënyrë të plotë autorësinë e vrasjes.
Operacioni “Inskenimi”, i udhëhequr nga Policia e Fierit në bashkëpunim me Prokurorinë, çoi në dokumentimin e ngjarjes dhe nisjen e procedimeve për vrasje me dashje dhe pengim të zbulimit të së vërtetës.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësinë penale të nënës së autores dhe për të zbardhur plotësisht motivet që çuan në këtë akt ekstrem.


