Ura e fshatit Glinë, në Bashkinë Dropull, është dëmtuar rëndë prej tre ditësh për shkak të reshjeve intensive dhe prurjeve të mëdha të lumit Drino, duke u bërë plotësisht e paqëndrueshme. Dëmtimet në kolonat mbajtëse kanë bërë që lidhja rrugore mes pesë fshatrave dhe pjesës së poshtme të zonës të ndërpritet.
Ekipet e emergjencave civile ndodhen në terren për të vlerësuar dëmet, ndërsa fshatrat Radat, Glinë, Vrahogoranx, Peshkëpia e Sipërme dhe Peshkëpia e Poshtme janë aktualisht të izoluar.
Banorët thonë se situata i ka penalizuar rëndë, pasi rruga provizore që po hap bashkia nuk plotëson kushtet e sigurisë, ndërsa terreni është tepër i vështirë për qarkullim. Gjendja paraqitet edhe më e rënduar duke pasur parasysh se shumica e banorëve të këtyre zonave janë të moshuar dhe kanë nevojë për akses të sigurt për shërbimet bazë.


