Organizata e OKB-së për mbrojtjen e refugjatëve, UNHCR ka bërë të ditur, se do të mbikqyrë zbatimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për transferimin e migrantëve në kampe në Shqipëri.
Këtë e konfirmoi zëdhënësja e UNHCR-së, Louise Donovan të martën për Agjencinë gjermane Katolike të Lajmeve, KNA. Aktivistë për të drejtat e njeriut ka kohë që e kanë kritikuar marrëveshjen dhe janë shprehur kundër ngritjes së kampeve të migrantëve në brigjet shqiptare. Nga shtatori Italia planifikon të sjellë migrantët e parë në Shqipëri.
Sipas Donovan UNHCR planifikon një prezencë tremujore për t’u siguruar aty “se garantohen të drejtat dhe dinjiteti i personave të prekur”. UNCHR do të marrë një rol vëzhgues por edhe këshillues. Në fokus do të jenë jo vetëm e drejta për azil, por edhe respektimi i të drejtave të njeriut dhe një proces i drejtë për personat që kanë nevojë për mbrojtje. Në fund të procesit të vëzhgimit, organizata e OKB-së do të paraqesë propozimet e saj të përmirësimit tek qeveria italiane dhe “aktorë të tjerë të interesuar”.
UNHCR përgjithësisht është kritike ndaj ujdive të transferimit të proceseve të azilit. Sipas Louise Donovan do të kihet kujdes që marrëveshja Shqipëri-Itali “të mos jetë eksternalizim i detyrimeve të azilit dhe që bën kalimin e përgjegjësisë diku tjetër”. /DW


