Administrata Trump ka përgatitur një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, nëse presidenti Vladimir Putin vijon të vonojë përfundimin e luftës në Ukrainë — raportoi agjencia Reuters, duke cituar burime nga qeveria amerikane.
Sipas të njëjtave burime, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar edhe partnerët e tyre evropianë se mbështesin përdorimin e aseteve të ngrira ruse nga Bashkimi Europian për blerjen e armëve amerikane, të cilat do t’i dërgohen më pas Ukrainës.
Në Uashington, ndërkohë, kanë nisur diskutime të brendshme për shfrytëzimin e fondeve ruse të bllokuara në territorin amerikan për të forcuar përpjekjet ushtarake të Kievit.
Edhe pse nuk dihet nëse këto masa do të hyjnë menjëherë në fuqi, burimet theksojnë se Shtëpia e Bardhë ka tashmë një plan të plotë për zbatimin e tyre, pas vendimit të presidentit Trump për të rivendosur sanksione ndaj Rusisë për herë të parë që nga rikthimi i tij në pushtet në janar.
Trump, i cili e cilëson veten “paqebërës global”, pranoi se ndonëse arriti të ndërmjetësojë armëpushimin në Gaza, përfundimi i luftës trevjeçare në Ukrainë mbetet shumë më i vështirë nga sa pritej.
Zyrtarë të lartë amerikanë kanë nënvizuar se shpresojnë që edhe Europa të ndërmarrë hapa të rinj kundër Moskës, përfshirë sanksione shtesë apo tarifa doganore. Një prej tyre tha për Reuters se Trump mund të “ngrijë” për disa javë procesin, për të vlerësuar reagimin e Kremlinit ndaj masave të fundit.
Në shënjestër kompanitë e naftës dhe bankat ruse
Sanksionet e reja pritet të prekin gjigantët rusë të naftës Lukoil dhe Rosneft, çka tashmë ka ndikuar në rritjen e çmimit të naftës me mbi 2 dollarë për fuçi, duke detyruar blerësit e mëdhenj në Kinë dhe Indi të kërkojnë furnizime alternative.
Një pjesë e masave lidhet gjithashtu me sistemin bankar rus dhe transportin ndërkombëtar të naftës. Javën e kaluar, zyrtarë ukrainas i paraqitën Uashingtonit një listë propozimesh për bllokimin e plotë të të gjitha bankave ruse nga sistemi i dollarit, por ende nuk dihet nëse SHBA do ta zbatojë këtë kërkesë.
Në të njëjtën kohë, Kongresi amerikan po rikthen në diskutim një projektligj dypartiak për sanksione të zgjeruara ndaj Rusisë, që kishte mbetur pezull për muaj me radhë. Trump thuhet se është i gatshëm ta mbështesë, edhe pse zbatimi nuk pritet para muajit nëntor.
Departamenti i Thesarit amerikan nuk ka komentuar për momentin mbi çështjen.
Nga ana tjetër, Kirill Dmitriev, i dërguar special i presidentit Putin për investime dhe bashkëpunim ekonomik, deklaroi se Rusia, SHBA dhe Ukraina “janë afër një zgjidhjeje diplomatike”.
Ndërsa zëdhënësja e ambasadës ukrainase në Uashington, Halyna Yusypyuk, e mirëpriti nismën për sanksione të reja, duke theksuar:
“Çmontimi i makinerisë luftarake ruse është mënyra më njerëzore për t’i dhënë fund kësaj lufte.”


