Një atentat i rëndë me armë zjarri ndodhi mbrëmjen sotme në Tiranë, ku u qëllua një automjet në pronësi të kompanisë së sigurisë “Pelikan Security”. Sulmi nisi pranë rrethrrotullimit të Shkozës dhe vijoi deri në afërsi të TEG-ut, ku autorët dyshohet se qëlluan mbi 30 herë në drejtim të makinës.
Nga të shtënat mbetën të plagosur katër persona: Arens Stafa, 34 vjeç, Kian Mullaj, 19 vjeç, si dhe dy të mitur, Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç, dhe Dior Demiraj, 11 vjeç. Dy prej tyre ndodhen në gjendje më të rëndë në Spitalin e Traumës.
Autorët dyshohet se ishin tre persona – dy qitës dhe një shofer – të cilët pasi përfunduan atentatin, dogjën automjetin e tyre në zonën e Lundrës. Mjeti i djegur mbante targa AA 040 YV dhe është sekuestruar për hetime.
Policia ka ngritur grupe kontrolli dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.