TIRANË-Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai është marrë në pyetje përreth një orë në SPAK. Pasi ka dalë nga Prokuroria e Posaçme ai është shprehur për mediat se dha sqarime shtesë në lidhje me një dosje të vitit 2023, duke mos dhënë më detaje të tjera.
“Dhashë disa shpjegime shtesë nga 2023, nuk e di nëse duhet të them çështjen që isha, dhashë disa shpjegime shtesë dhe kam qenë person deklarues.”-deklaroi Isai.
Kryebashkiaku socialist është pyetur dhe më herët në SPAK. Isai është marrë në pyetje për 3 orë nga Prokurorët e posaçëm më 30 Maj 2023.
“Është një ngjarje e vjetër, nuk ka lidhje me tenderat e bashkisë. Kam qenë i thirrur si person në dijeni për një ngjarje. Nuk ka lidhje me krimet zgjedhore, a lidhje me një ngjarje konkrete të para shumë kohëve, ku Bashkia nuk ka qenë e përfshirë me tender publik të drejtpërdrejtë, por si institucion që bashkëpunon dhe ka dijeni. I takon prokurorisë se kë po heton, unë jam pyetur si person që ka dijeni. Hetuesit ishin në humor, pse të mos jenë në humor Ishte hera e parë në Prokurori, ishte këndshëm.”– ka tha ai në atë kohë pas daljes nga SPAK./Radar.al


