Ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Sokol Mulosmani, është arrestuar nga policia në Tiranë pas një konflikti për motive pronësie me vëllezërit e tij. Në pranga kanë përfunduar gjithsej pesë persona, 4 prej të cilëve vëllezër. Sipas informacioneve paraprake, Sokol Mulosmani është përfshirë mbrëmjen e së shtunës në një konflikt me tre vëllezërit dhe nipi i tij.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Njazi Meka”, në kryeqytet, ku përplasja mes familjarëve dyshohet se ka nisur për çështje pronësie. Pas njoftimit, forcat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke neutralizuar situatën dhe arrestuar personat e përfshirë. Rrethanat e plota të konfliktit janë ende nën hetim. Sokol Mulosmani ka qenë drejtues në Vlorë në 1997-ën, në kohën e trazirave.
Emri i tij përmendet ne raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar për ngjarjet e vitit 1997: “Persona si Agim Shehu, Bashkim Gazidede, Xhait Xhaferi, Sokol Mulosmani, si drejtues të strukturave ushtarake të shtetit, kanë marrë pjesë dhe luajtur një rol të veçantë në këtë situatë në përplasjet me revoltat paqësore të popullit në fillimet e saj në Vlorë, duke ndikuar direkt në acarimin e situatës”.
Mulosmani është arrestuar në Tiranë dhe më 23 gusht 1998 si përgjegjës për ngjarjet e vitit 1997 së bashku me Safet Zhulali, ish-ministër i Mbrojtjes, ish-ministri i Brendshëm, Halit Shamata, ish-nënkryetari i SHIK-ut, Bujar Rama, ish-kryetari i KLSH, Blerim Çela dhe ish-komandanti i forcave kundërajrore në ushtri, Kreshnik Luzha. Pas 4 ditësh atyre u caktua masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’ e 6 muaj më vonë u lanë të lirë e çështja u pushua.


