“Kërkohen tifozë!” Jo, ky nuk është një njoftim surreal nga një kombëtare, por bëhet fjalë për Katarin që mori pjesë në Botërorin 2026. Ky vend thuhet se rekrutuar dhe paguar rreth 2 mijë mbështetës për Botërorin që po vijon të mbahet në SHBA-Kanada dhe Meksikë. Dhe këtë po e bëjnë me stil, me një ofertë që është shumë e vështirë për t’u refuzuar.
Pavarësisht se dështuan të kalonin fazën e grupeve, të besuarit e Lopteguit kishin një grup të madh mbështetësish që u përpoqën të brohorisnin për Katarin gjatë ndeshjeve kundër Zvicrës, Kanadasë dhe Bosnjës. Problemi? Shumë prej këtyre tifozëve nuk kishin parë kurrë një ndeshje futbolli.
Plani i federatës së futbollit në Katar u zbulua me shumë detaje nga një hetim i gazetës ‘Telegraph’ dhe ditët e fundit lajmi është paraqitur në mediat kryesore anembanë botës. Edhe para turneut, federata e futbollit njoftoi në Doha se do të mbulonte udhëtimin në Amerikë për rreth 1,000 persona: përveç biletave të avionit paketa përfshinte biletat e ndeshjes dhe hotelet ultra-luksoze. Çdo tifozi iu dha gjithashtu një uniformë, shall, flamur dhe një palë syze dielli.
Sipas gazetës angleze, kulmi i skemës së Katarit u arrit para ndeshjes finale të grupit kundër Bosnjës. Federata dyshohet se rekrutoi individë në të gjithë Shtetet e Bashkuara që do të paraqiteshin si tifozë të Katarit në këmbim të biletave të ndeshjes dhe akomodimit në hotele me pesë yje. Në disa raste, këta individë madje paguheshin. Për ta bërë këtë gjë më të besueshme federata e futbollit dyshohet se organizoi “mësime” në një hotel në Seattle për mënyrën se si të silleshin gjatë 90 minutave. Pasi morën udhëzimet e duhura, tifozët marshuan së bashku drejt stadiumit, duke kënduar brohoritje dhe duke valëvitur shalle dhe flamuj.
Në dëshmitë e mbledhura nga ‘Telegraph’ një prej të rekrutuarve thotë: ‘shumë prej nesh nuk kishin shkuar kurrë më parë në stadium. Lajmi se Katari po ofronte bileta falas dhe po mbulonte shpenzimet u përhap shpejt.” Edhe njerëz jo nga Katari përfituan nga skema e rekrutimit: “Unë dhe miqtë e mi aplikuam sepse programi pranon këdo që ka lidhje me Gjirin Persik për të marrë një biletë falas.”
Kjo nuk është hera e parë që federata me seli në Doha ka qenë në qendër të këtij lloj hetimi. Që në vitin 2022, gjatë Kupës së Botës të organizuar në Katar, çështja e pagesës së tifozëve u ngrit nga disa media, por mori mohime kategorike.


