Serbia do të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak duke nisur nga marsi i vitit 2027. Njoftimin e bëri presidenti Aleksandar Vuçiç gjatë një vizite në aeroportin ushtarak “Millenko Pavloviq” në Batajnicë, pranë Beogradit.
Vuçiç tha se përpara zbatimit të vendimit do të përfundojnë procedurat burokratike, ndërsa shtoi se shërbimi ushtarak do të jetë “shumë i shkurtër”. Ai nuk dha detaje për kohëzgjatjen, megjithëse më herët kishte deklaruar se pritet të zgjasë 75 ditë.
Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak duhet të miratohet edhe nga Kuvendi i Serbisë. Shërbimi ushtarak në vend është vullnetar që prej 1 janarit 2011, ndërsa autoritetet serbe kanë paralajmëruar prej vitesh rikthimin e tij.
Ndër vendet që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Greqia, Qiproja, Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia.


