Redi Halilaj, vëllai i 29-vjeçarit Bekim Halilaj, i cili u gjet i varur në Bruksel më 30 shtator, ka sqaruar për mediat se vdekja e të afërmit të tij ka qenë rezultat i depresionit dhe jo i një ngjarjeje kriminale.
Në një intervistë për Top News, Redi tha se autopsia e kryer nga autoritetet belge konfirmon vetëvrasjen dhe nuk ka gjetur asnjë shenjë dhune në trupin e Bekimit. Ai shtoi se mesazhet e dërguara nga viktima para ngjarjes lënë të kuptohet gjendja e tij emocionale e rënduar.
“Është çështje depresioni, nuk ka të bëjë me gjëra të tjera që thuhen në media. Nuk e dimë çfarë probleme ka pasur vëllai, por mesazhet që na ka dërguar na kanë bërë të dyshojmë se ka qenë në gjendje depresioni”, deklaroi Redi.
Avokatja e familjes, Enida Rrapai, konfirmoi se pista kryesore e hetimeve mbetet vetëvrasja dhe se vetëm anëtarët e familjes mund të kenë akses të detajuar në dosje si palë civile.
Bekim Halilaj, nga fshati Bicaj i Kukësit, u përcoll për në banesën e fundit në vendlindje, ku familjarët dhe miqtë i dhanë lamtumirën e fundit.


