Gentjan Bejtja, personi që u ekzekutua me 45 plumba kallashnikovi është vrarë në sy të gruas së tij dhe dy fëmijëve të mitur.
Për këtë ngjarje të rëndë 2 persona janë arrestuar Ilir Beqaraj alias Brahimi, kunati i Roan Brahimit dhe Edison Haxhiu. Ndërsa tashmë në kërkim është shpallur dhe një person nga Vlora, Flodian Plaku.
Familja ka parë skenën e tmerrshme të pushkatimit, ndërsa nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për ti shpëtuar jetën kryefamiljarit, pasi një person i armatosur ka bllokuar gruan dhe dy fëmijët, ndërsa dy të tjerë kanë hapur zjarr në drejtim të tij.
Këto detaje tronditëse dalin nga dëshmia e bashkëshortes së viktimës A. Bejtja, e cila është dhe motra e Ramazan Sinos, personit që një vit më parë mbeti i vrarë në oborrin e shtëpisë së Gentit në Larushk, ngjarje kjo ku u plagosën dhe dy fëmijë.
A. Bejtja, treguar se rreth orës 16:00 së bashku me bashkëshortin, Gentin, ka dalë nga banesa e vjehrrit dhe kanë shkuar në shtëpinë e tyre, që ndodhet vetëm disa metra larg ku me vete ka pasur dhe dy fëmijët e saj.
Në vijim ajo sqaron se gjatë kohës që bashkëshorti ka qenë duke ujitur disa perime që kishte kultivuar në një serë pranë banesës, ka vënë re se kanë hyrë tre persona të armatosur ku njëri prej tyre ka mbajtur të bllokuar atë dhe fëmijët e saj ndërsa dy personat e tjerë kanë qëlluar me armë automatike në drejtim të bashkëshortit të saj Gentian Bejtja duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Në lidhje me autorët e ngjarjes gruaja e viktimës jep një përshkrim të përgjithshëm por nuk mund të identifikoj asnjërin prej tyre, gjithashtu ajo nuk ka ngritur dyshime apo të ketë sqaruar për ndonjë konflikt të bashkëshortit të saj./Ora News


