Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm një në katër turistë që vizituan Shqipërinë në qershor zgjodhën të qëndronin në një hotel, bujtinë apo apartament me qira të regjistruar. Nga mbi 1.3 milionë vizitorë të huaj, vetëm 369 mijë e 683 prej tyre u akomoduan për të paktën një natë.
Eksperti i turizmit, Zak Topuzi, thekson se Shqipëria mbetet kryesisht një vend tranzit dhe se shumë nga strukturat akomoduese nuk janë të përfshira në sistemin e ligjor të turizmit. “Shumë pak të huaj flenë në Shqipëri, dhe kjo mund të jetë për shkak të informalitetit dhe mungesës së regjistrimit të kapaciteteve akomoduese,” tha ai për A2 CNN.
Megjithatë, thirrjet e qeverisë dhe paralajmërimet për gjoba kanë rritur disi deklarimet e strukturave akomoduese, duke sjellë një rritje prej 37.4% të numrit të akomodimeve në krahasim me vitin 2024, ose mbi 100 mijë më shumë akomodime.
Sipas INSTAT, gjatë qershorit, pjesa më e madhe e turistëve u akomoduan në hotele (336 mijë), ndërsa vetëm 27 mijë e 227 përdorën apartamente me qira ditore. Topuzi shprehet se informaliteti në sektor është i lartë: rreth 48% e kapaciteteve akomoduese janë apartamente dhe vila jashtë sistemit tatimor, duke dëmtuar konkurrencën dhe të ardhurat e shtetit.
Nga ana e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, vetëm 1 mijë e 850 apartamente me qira ditore janë të regjistruara dhe paguajnë taksat e nevojshme.


