TIRANË– Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me protestat që po zhvillohen prej 17 ditësh në Tiranë. Përmes këtyre protestave qytetarët kanë kërkuar anulimin e projektit të Zvërnecit dhe dorëheqjen e tij.
Përmes një postimi në Facebook, Rama u shpreh se ekstremizmi e kërkon pushtetin duke filluar me rrugën, ku një grup vendos se ka të drejtë të frikësojë të tjerët për hir të atdheut.
Rama tha se kush nuk mendon si turma, bëhet sipas tij objekt i bullizmit masiv online, i fyerjeve, kërcënimeve, linçimit publik dhe fushatave të organizuara të damkosjes. Në lidhje me këtë, Rama ka ndarë një video gjatë tubimit të djeshëm ku protestuesit janë zhvendosur drej “Fan Zone” në qendër të kryeqytetit.
Edi Rama: NJË NGA MËSIMET E VYERA TË HISTORISË është se ekstremizmi e kërkon pushtetin duke filluar me rrugën. Një grup vendos se ka të drejtë të frikësojë të tjerët për hir të atdheut. Britma zë vendin e argumentit. Rrethimi zë vendin e dialogut. Intimidimi paraqitet si aktivizëm dhe linçimi publik i tradhëtarëve si drejtësi e Zotit në emër të popullit. Kështu vepruan lëvizjet ekstremiste në Europën e paraluftës dhe kështu bëjnë edhe sot, duke e rritur eksponencialisht presionin mbi hapësirën demokratike falë rrugëve pa kontroll të internetit. Kush nuk mendon si turma bëhet objekt i bullizmit masiv online, i fyerjeve, kërcënimeve, linçimit publik dhe fushatave të organizuara të damkosjes. Qëllimi nuk është debati. Qëllimi është heshtja. Të krijohet një klimë ku njerëzit zgjedhin të heshtin, jo sepse nuk kanë ç’të thonë, por sepse kostoja e të folurit bëhet shumë e lartë.
Historianët bien dakord se terrori i rrugës fillon me akte që duken “të vogla”, me sharje, intimidim, poshtërim publik, marshime rrugësh automobilistike dhe sulme të përzgjedhura ndaj individëve, ndërkohë që turma digjitale shumëfishon frikën dhe presionin. Videoja më poshtë nga qendra e Tiranës mbrëmë flet vetë dhe është një tjetër pasqyrë ku mund të shihet çdokush që sheh qytetari demokratike në fjalorin e kësaj proteste, që nga tribuna e sharjeve, tek koret e linçimeve dhe ulërimat e marshuesve./Radar.al


