Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe konfirmoi se Uashingtoni po zhvillon diskutime të vazhdueshme me NATO-n lidhur me këtë territor strategjik.
“NATO ka pasur kontakte me ne për çështjen e Groenlandës. Ne kemi shumë nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare”, tha Trump, duke theksuar se mungesa e saj do të krijonte një boshllëk serioz në arkitekturën e sigurisë amerikane.
“Nëse nuk e kemi, krijohet një boshllëk i madh në sigurinë kombëtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për atë që po bëjmë me Kupolën e Artë dhe iniciativa të tjera”, shtoi ai, pa dhënë detaje konkrete mbi projektet ushtarake apo të sigurisë që përmendi.
Trump theksoi se SHBA-të janë të angazhuara aktivisht me aleancën euroatlantike për këtë çështje. “Po flasim me NATO-n”, u shpreh ai.
Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu se po shqyrton përdorimin e tarifave si mjet presioni ndaj vendeve që kundërshtojnë interesat e SHBA-së në lidhje me Groenlandën. “Mund ta bëj këtë edhe për Grenlandën”, deklaroi Trump, duke kujtuar një rast të mëparshëm me presidentin francez Emmanuel Macron, ku kishte kërcënuar me tarifa 25% për të ndikuar në politikat e çmimeve të barnave.
Javën e kaluar, Trump sugjeroi se SHBA-të duhet ta “blejnë” Groenlandën për të parandaluar zgjerimin e ndikimit rus ose kinez në territorin autonom të Mbretërisë së Danimarkës.
Si autoritetet daneze ashtu edhe ato të Groenlandës kanë hedhur poshtë kategorikisht çdo ide për shitjen e ishullit, duke riafirmuar sovranitetin e Danimarkës mbi territorin arktik.


