Një video e publikuar së fundmi nga agjencia zvicerane e lajmeve RTS tregon se rreziku i zjarrit në barin “Konstelasion”, në rezidencën turistike të skive në Crans-Montana, ishte i njohur prej disa vitesh para tragjedisë fatale.
Pamjet dokumentojnë se materiali i përdorur për izolimin akustik të tavanit, një lloj shkume që thith zhurmën, ishte jashtëzakonisht i ndezshëm dhe mund të digjej lehtësisht nga fishekzjarrët që përdoroheshin gjatë festave me alkool. Një dëshmi nga një grua që kishte qenë e pranishme në festën e Vitit të Ri 2020 dhe ka siguruar videon, tregon se një kamerier i lokalit paralajmëroi klientët:
“Kini kujdes nga shkuma! Merr flakë shumë lehtë!”
Kjo tregon se stafi ishte i vetëdijshëm për rrezikun, por ai nuk u parandalua. Tragjedia e ndodhur më vonë rezultoi fatale për 40 persona, ndërsa 116 të tjerë mbetën të plagosur, duke e kthyer ngjarjen në një nga aksidentet më të rënda në Zvicër.
Pas publikimit të videos, autoritetet zvicerane kanë intensifikuar hetimet, duke u fokusuar te administratorët e rezidencës turistike për të përcaktuar përgjegjësitë lidhur me masat e sigurisë dhe evidentimin e rreziqeve para ngjarjes. Sipas raporteve, një nga faktorët që rëndoi bilancin tragjik ishin dyert e emergjencës, të cilat ishin më të vogla se sa parashikonin rregulloret.


