Të paktën 28 persona kanë humbur jetën pas një zjarri të përmasave të mëdha që përfshiu fabrikën e këpucëve Huiteng Shoes në qytetin Jinjiang, në provincën Fujian të Kinës lindore.
Flakët shpërthyen rreth mesditës së së enjtes, ndërsa për disa orë autoritetet druheshin se brenda godinës shumëkatëshe ndodheshin ende persona të bllokuar.
Pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror kinez CCTV treguan zjarrfikësit teksa luftonin me flakët, ndërsa shtëllunga të dendura tymi të zi dilnin nga ndërtesa. Në video shiheshin gjithashtu persona që kishin kërkuar strehim pranë dritareve dhe në çatinë e objektit, ndërkohë që zjarri kishte përfshirë katet e poshtme.
Ministria kineze e Menaxhimit të Emergjencave njoftoi se në operacion u angazhuan 183 efektivë zjarrfikës dhe shpëtimi, të mbështetur nga 35 mjete zjarrfikëse, për shuarjen e flakëve, kërkimin e të mbijetuarve dhe dhënien e ndihmës për të plagosurit.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, e cilësoi ngjarjen një tragjedi me “humbje të rënda njerëzore” dhe kërkoi që shkaqet e zjarrit të zbardhen sa më shpejt.
“Duhet të identifikohet sa më parë shkaku i aksidentit dhe personat përgjegjës të mbajnë përgjegjësi të plotë sipas ligjit”, deklaroi Xi.
Sipas mediave shtetërore kineze, disa persona rezultuan fillimisht të bllokuar dhe pa kontakte me ekipet e shpëtimit. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit të zjarrit.
Kjo tragjedi vjen në një periudhë kur Kina ka shtuar kontrollet për sigurinë nga zjarret, pas një sërë incidentesh fatale të regjistruara muajt e fundit në ndërtesa banimi dhe objekte të tjera në të gjithë vendin.


