Një ngjarje e rëndë ka tronditur ishullin e Paxosit këtë pasdite, ku një vajzë 4-vjeçare me origjinë shqiptare humbi jetën tragjikisht pasi u gjet e mbytur në pishinën e një vile turistike.
E mitura, fëmija i vetëm i një familjeje shqiptare që jeton prej vitesh në ishull, ishte duke luajtur në oborrin e shtëpisë rreth orës 15:00, kur i shpëtoi vëmendjes së nënës. Pas kërkimeve të ethshme nga familjarët dhe fqinjët, trupi i saj u zbulua në pishinën e një vile rreth 150 metra larg banesës, nga kuzhinieri i objektit.
Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve në qendrën shëndetësore të ishullit, vogëlushja nuk mundi të shpëtohej.
Policia greke arrestoi nënën e fëmijës, e cila ndodhet në paraburgim dhe pritet të dalë para prokurorit ditën e nesërme. Ndaj saj pritet të ngrihen akuza për neglizhencë në kujdesin prindëror.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë që ka lënë në shok komunitetin lokal.


