Kryeqyteti është ngjyrë kuqezi, ndërsa mijëra tifozë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora kanë mbërritur në Tiranë për të festuar kualifikimin historik të Kombëtares në fazën play-off të Kupës së Botës 2026.
Festimet kanë nisur që herët në rrugët kryesore, me flamuj, këngë dhe koreografi kuqezi që kanë krijuar një atmosferë elektrizuese. Atmosferën e përforcojnë edhe qindra tifozë anglezë, të pranishëm për të mbështetur skuadrën e tyre.
Në orën 18:00, Shqipëria përballet me Anglinë në “Air Albania”. Anglia kryeson grupin me 21 pikë dhe ka siguruar kualifikimin direkt, ndërsa Shqipëria, e dyta me 14 pikë, e sheh këtë ndeshje si një test të rëndësishëm para play-off-it. Historiku favorizon anglezët, që kanë fituar 7 përballjet e mëparshme me golavarazh 21-1, por kuqezinjtë vijnë me moral të lartë pas pesë fitoreve radhazi dhe tetë ndeshjeve pa humbje që nga marsi.
Stadiumi pritet të jetë i mbushur plot, pasi të gjitha biletat janë shitur. Festimet kanë mbushur ditët e fundit rrugët e Tiranës, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe zonat përreth stadiumit, me parakalime tifozësh, këngë patriotike dhe koreografi kuqezi që e kthejnë kryeqytetin në një festë kombëtare dhe sportive.
Policia e Shtetit dhe FSHF kanë vendosur masa të rrepta sigurie: kontrolle në hyrje, tabela orientuese dhe sekuestrim të sendeve të ndaluara. Portat hapen tri orë para ndeshjes, dhe tifozët paralajmërohen të mbërrijnë me kohë.
Ndërsa ora e fillimit afrohet, Tirana pulson kuqezi. Sot, sfida Shqipëri-Angli është më shumë se një ndeshje – është një festë e krenarisë kombëtare dhe një hap tjetër drejt ëndrrës botërore.

























