TikTok është gjobitur me plot 530 milionë euro nga autoritetet e Bashkimit Evropian për shkelje serioze të rregullave të mbrojtjes së të dhënave personale. Komisioni Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave (DPC) bëri të ditur se platforma kineze ka ndarë të dhëna të përdoruesve evropianë me palë të treta në Kinë, duke shkelur Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).
Sipas DPC, TikTok nuk arriti të sigurojë mbrojtjen e duhur të informacionit personal nga punonjësit në Kinë dhe nuk ishte transparent për mënyrën si menaxhonte këto të dhëna. Edhe pse kompania më parë kishte deklaruar se nuk ruante të dhëna evropiane në servera kinezë, më vonë pranoi se kjo kishte ndodhur në një masë të kufizuar.
Krahas gjobës së majme, TikTok ka afat gjashtë muaj për të përputhur përpunimin e të dhënave me standardet evropiane. Kompania ka të drejtën të apelojë vendimin, por presioni ndaj saj është në rritje, veçanërisht për shkak të lidhjes me kompaninë mëmë ByteDance, me seli në Kinë.


