TIRANË– Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka pranuar se Besnik Hasi ka qenë emri i vetëm të cilit i është ofruar bankina e kuqezinjve në të kaluarën. Ai ka shpjeguar se pse ka dështuar marrëveshja, por duke theksuar në vijim se i ka gjithmonë në vëmendje trajnerët shqiptarë.
“I kam ofruar realisht të paktën një herë postin e drejtuesit të Kombëtares një trajneri shqiptar i cili ka qenë Besnik Hasi. Në momentet e fundit kur ishim në prag të finalizimit të kontratës, Besniku u tërhoq se i ofruan që të ishte trajneri i Anderlehtit. Më pas, në të gjitha rastet padyshim që e kam menduar dhe padyshim përsëri e mendoj, por do të shohim. Por e para është që i kam ofruar trajnerit aktual që të shprehë mendimin e tij nëse e ka vullnetin, energjinë e dëshirën për të vazhduar. Por pastaj janë edhe kushtet nëse kënaqin palët. Kjo gjë do të ndodhë para se të bëhen ndeshjet miqësore të qershorit.”- tha Duka./PanoramaSport


