Një ngjarje e frikshme ka ndodhur në Brugg AG, kantoni i Aargaut në Zvicër, ku një kosovar 31-vjeçar ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë, pasditen e së shtunës. Mediat zvicerane e përshkruajnë skenën si diçka që mund të duket si një film aksion.
Një person dyshohet se ka qëlluar me armë nga automjeti i tij në drejtim të një automjeti tjetër, ku ndodhej kosovari. Sipas policisë kantonale, një 24-vjeçar zviceran është vënë në qendër të hetimeve si i dyshuar. Ai dhe një tjetër person nga Kosova u arrestuan, por më pas u liruan.

Dyshimet janë se ata ndodheshin në një BMW, nga e cila u shkrepën disa të shtënat në drejtim të një Skode që ishte e parkuar. Kosovari 31-vjeçar, shoferi i Skodës, ka marrë trajtim në spital, dhe babai i tij e ka përshkruar gjendjen e tij si të qëndrueshme.
Babai ka treguar se djali i tij kishte hipur në veturë pas një vizite në palestër dhe ishte qëlluar me armë, ndërsa me të ndodhej edhe vëllai i të plagosurit, i cili ka shpëtuar pa lëndime. Ai ka refuzuar të komentojë motivin e mundshëm të sulmit.



