Familjarët e Astrit Hysenajt, punonjësit të komunales në Durrës që humbi jetën pasi dyshohet se u mor nga rrjedha e ujit gjatë ditëve të përmbytjeve, i kanë bërë thirrje institucioneve që ai të njihet zyrtarisht si i rënë në krye të detyrës.
Të afërmit deklarojnë se disponojnë pamje filmike që tregojnë se Hysenaj ishte në krye të punës në momentet e fundit para zhdukjes.
“Ne kërkojmë që ai të njihet se ka rënë në krye të detyrës. Të marrë gjithçka që i takon sipas ligjit”, shprehen familjarët.
U pa për herë të fundit në punë në orën 08:25
Sipas kushërinjve të tij, Astrit Hysenaj u nis për në punë mëngjesin e 6 janarit, pavarësisht reshjeve të dendura dhe paralajmërimeve të familjes që të mos dilte.
Kur ai nuk u kthye në orarin e zakonshëm, familjarët fillimisht pritën duke menduar se mund të ishte dërguar nga ndërmarrja në ndonjë zonë tjetër. Por kur ai nuk u kthye as deri në orët e pasdites, nisën kërkimet.
Ai u kërkua në spitale, lokale dhe zonat ku punonte, ndërsa në mbrëmje familja bëri denoncimin në polici.
Nga pamjet e kamerave të bizneseve në zonë, familjarët thonë se Astrit Hysenaj është parë për herë të fundit rreth orës 08:25, teksa ishte duke punuar.
“Në pamje duket qartë që ai po punonte, po mblidhte letra në ujë. Pas asaj ore nuk kemi më asnjë informacion. Mendojmë se e ka marrë rrjedha e ujit”, thotë kushëriri i tij, Osman Hysenaj.
Trupi u gjet pranë kanalit, me uniformën e punës
Të nesërmen në mëngjes, pas rikthimit në polici, në zonë mbërritën palombarët dhe kërkimet u përqendruan te kanali ku dyshohej se ishte marrë nga uji.
Në fund të derdhjes së këtij kanali, pranë urës te reparti ushtarak në zonën e Plepat, policia njoftoi se ishte parë një uniformë e komunales.
“Shkuam atje dhe e gjetëm. Ishte me uniformën e punës”, deklaron familja.
Familjarët kërkojnë njohje si i rënë në detyrë
Familjarët këmbëngulin se, sipas provave që disponojnë, Astrit Hysenaj ishte në shërbim në momentin e zhdukjes dhe vdekjes.
“Në orën 08:25 ai ishte duke punuar. Pas kësaj ore është zhdukur. Nëse ka pamje të kundërta, le t’i nxjerrin. Ne i kemi pamjet tona”, thotë Osman Hysenaj.
Ata kërkojnë që Hysenaj të njihet si i rënë në krye të detyrës, në mënyrë që familja të përfitojë të drejtat ligjore.
Ai ka lënë pas një nënë 85-vjeçare, bashkëshorten e papunë dhe një djalë gjithashtu pa punë, të cilët aktualisht jetojnë vetëm me pensionin e nënës.
Edhe kushëriri tjetër, Idajet Hysenaj, konfirmon se trupi u gjet me uniformën e punës dhe se Astrit Hysenaj ishte nisur për në punë që herët në mëngjes.
“Ne kërkojmë vetëm që t’i njihet ajo e drejtë që i takon nga puna që po bënte. Nëse duan filmime, ua japim edhe ne”, shprehet ai.


