Policia ka publikuar pamjet e frikshme të një ngjarje të rëndë që është regjistruar në një berberhane në Tiranë dy ditë më parë.
Blutë bëjnë me dije se kanë identifikuar gjashtë shtetasit të cilët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 05.01.2025, në një berberhane, në rrugën “29 Nëntori”, kanë goditur me sende të forta, dyshohet për motive të dobëta, shtetasin A. R., 48 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Në pranga kanë rënë shtetasit Gani Koçeku dhe Ledio Tusha, ndërsa në kërkim janë shpallur shtetasit Ronald Koçeku, Luçiano Koçeku, Dino Koçeku dhe Gëzim Koçeku.
Policia i publikoi emrat me iniciale dhe tha se: “u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. K., 24 vjeç dhe L.T, 31 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. K., L.(A.). K., G. K. dhe D.(A.). K”.
Nga njoftimi i Policisë shihet se dy prej tyre rezultojnë me dy identitete.
NJOFTIMI
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Details”.
Identifikohen 6 shtetasit që goditën me sende të forta, një 48-vjeçar, në një berberhane, 2 ditë më parë. Vihen në pranga 2 prej tyre, punohet për kapjen e 4 të tjerëve.
Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu, që i posedonin këta shtetas, 2 automjete dhe disa veshje që kanë mbajtur autorët gjatë ngjarjes.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të një konflikti të ndodhur më datë 05.01.2025, si pasojë e të cilit u dëmtua më sende të forta shtetasi A. R., 48 vjeç, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, Komisariati i Policisë Nr. 3 ka finalizuar operacionin e koduar “Details”.
Si rezultat i këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. K., 24 vjeç dhe L.T, 31 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. K., L.(A.). K., G. K. dhe D.(A.). K.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 05.01.2025, në një berberhane, në rrugën “29 Nëntori”, kanë goditur me sende të forta, dyshohet për motive të dobëta, shtetasin A. R., 48 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
1 armë zjarri pistoletë, me leje, që u gjet në banesën e shtetasit L. T.;
1 armë gjahu, që u gjet në banesën e shtetasit D. K.;
2 automjete që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje;
Veshje që dyshohet se kanë mbajtur autorët gjatë ngjarjes, të cilat u gjetën në njërin prej këtyre automjeteve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


