Sot shënohen plot 30 vjet nga zhdukja e biznesmenit Remzi Hoxha, një prej rasteve më të errëta të tranzicionit shqiptar, që ende mbetet pa drejtësi.
Djali i tij, Ardian Hoxha, ka bërë një përkujtim prekës në rrjetet sociale, duke kujtuar dhimbjen e pashuar dhe shpresën që, siç thotë ai, nuk është shuar asnjëherë.
“Tridhjetë vjet heshtje nga shteti shqiptar, tridhjetë vjet kërkimi dhe shprese që kurrë nuk është shuar. Mungesa e tij është bërë një prani më vete, një jehonë e qetë në çdo çast të jetës sonë deri në frymën e fundit,” shkruan Ardiani.
Në mesazhin e tij, ai thekson se edhe pse trupi i babait të tij pushon diku i panjohur, shpirti i Remzi Hoxhës jeton në forcën, guximin dhe të vërtetën që ai përfaqësonte.
“Besoj se një ditë e vërteta do të dalë nga hija dhe babai im do të ketë mundësinë të prehet si hero, jo si viktimë. Deri atëherë, e mbajmë kujtimin e tij si busullën tonë, dashurinë e tij si dritën që na udhëheq. Ne ende vazhdojmë ta kërkojmë, ende presim dhe ende jemi krenarë. Lavdi për ty, babi im i dashur, krenari e kombit tonë.”
Remzi Hoxha u rrëmbye më 21 tetor 1995 në vendin e tij të punës në Tiranë. Zhdukja e tij mbetet një plagë e hapur për familjen dhe shoqërinë shqiptare, ndërsa autoritetet shtetërore, pas tre dekadash, ende nuk kanë sjellë asnjë përgjigje për fatin e tij.


