Ministrat e jashtëm të Tajlandës dhe Kamboxhias kanë mbërritur në Kinë për të zhvilluar bisedime diplomatike, pas marrëveshjes për një armëpushim që i dha fund disa javëve tensione dhe përplasjesh kufitare mes dy vendeve fqinje.
Takimet po mbahen sot dhe nesër në provincën Yunnan, në jugperëndim të Kinës, dhe po drejtohen nga ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi. Lajmi u konfirmua nga agjencia shtetërore “Xinhua”, duke cituar Ministrinë e Jashtme të Kinës.
Gjatë bisedimeve me homologun kamboxhian, Prak Sokhonn, Wang Yi theksoi nevojën për një armëpushim të qëndrueshëm dhe afatgjatë, si dhe për rindërtimin e besimit mes palëve. Ai nënvizoi rolin e dialogut si element kyç për stabilitetin rajonal.
Nga ana tjetër, Sokhonn shprehu shpresën se konsultimet trepalëshe do të ndihmojnë në arritjen e një paqeje të përhershme ndërmjet Tajlandës dhe Kamboxhias.
Në këto bisedime pritet të përfshihen edhe përfaqësues të forcave të armatosura të Kinës, Tajlandës dhe Kamboxhias, me synimin për të forcuar zbatimin e armëpushimit, për të rifilluar bashkëpunimin dhe për të ndërtuar besim politik.
Ministria e Jashtme kineze deklaroi se Pekini synon të shërbejë si platformë dialogu dhe të luajë një rol konstruktiv në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Ftesa e Kinës vjen një ditë pas marrëveshjes për armëpushim të menjëhershëm, e cila u zyrtarizua përmes një deklarate të përbashkët të nënshkruar nga ministrat e mbrojtjes të të dy vendeve. Sipas autoriteteve tajlandeze, armëpushimi do të monitorohet për 72 orë dhe raportimet e fundit tregojnë se ai po respektohet, ndërsa banorët e zhvendosur kanë nisur të kthehen në shtëpitë e tyre përgjatë kufirit.


