Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar mes agjencive ligjzbatuese, është finalizuar një tjetër fazë e operacionit të koduar The Wanted, që ka çuar në arrestimin e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim.
Sipas Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Interpol, autoritetet braziliane kanë arrestuar në Brazil 39-vjeçarin me inicialet Ervin Mata, i dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Ai akuzohet se ka koordinuar aktivitetin e grupit për trafikimin e rreth 240 kilogramëve kokainë, në kuadër të një rrjeti që vepronte në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe disa vende europiane. Hetimet ndaj këtij grupi janë zhvilluar nga SPAK, në bashkëpunim me EUROPOL dhe EUROJUST, si dhe me autoritetet e disa shteteve.
Sipas hetimeve, 39-vjeçari dyshohet se ka organizuar transportin e drogës më 29 shtator 2020, ndërsa për të ishte caktuar më herët masa e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ai është lokalizuar dhe arrestuar në qytetin Ilha Bela në Brazil, ku jetonte me dokumente identifikimi të falsifikuara britanike.
Autoritetet shqiptare po vijojnë bashkëpunimin me Interpol Brasilia për procedurat e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, ku pritet të përballet me akuzat për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.


