Tre gra mbetën të plagosura pas një sulmi me thikë të ndodhur këtë të hënë në zonën Porte de Clichy, në veri të Parisit. Autori i dyshuar u neutralizua dhe u arrestua menjëherë nga një efektiv policie jashtë shërbimit, raportoi Reuters.
Sipas autoriteteve franceze, viktimat janë të moshave 19, 24 dhe 36 vjeç dhe u sulmuan me dy thika kuzhine. Dy prej tyre pësuan plagë të rënda, njëra në pjesën e poshtme të shpinës dhe tjetra në bark, por nuk ndodhen në rrezik për jetën.
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, deklaroi se gjendja e të plagosurave është e stabilizuar, ndërsa bëri të ditur se identiteti i autorit dhe motivi i sulmit nuk janë përcaktuar ende.
Sipas Nunez, i dyshuari ka bërë deklarata të pakuptimta gjatë arrestimit, çka ka bërë që hetuesit të shmangin nxjerrjen e përfundimeve të parakohshme mbi motivet e ngjarjes.
Autoritetet franceze theksuan se deri më tani nuk ka asnjë provë që e lidh këtë sulm me terrorizmin apo me incidentin e ndodhur dy ditë më parë në Berlin, ku një ekstremist islamik përplasi një furgon me turmën gjatë një parade të komunitetit LGBTQ+, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur.
Policia franceze ka nisur një hetim të plotë për të zbardhur rrethanat e sulmit, motivin e autorit dhe për të verifikuar nëse ai vuante nga probleme të shëndetit mendor ose nëse veproi për arsye të tjera.
Ndërkohë, masat e sigurisë janë forcuar në zonën ku ndodhi sulmi, ndërsa gjendja shëndetësore e tre grave të plagosura vijon të monitorohet nga ekipet mjekësore.


