Çmimi i naftës ka shënuar një rënie të fortë në tregjet ndërkombëtare, pasi shpresat për uljen e tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë përmirësuar pritshmëritë për stabilizimin e furnizimeve globale me energji.
Sipas BBC, nafta Brent, standardi ndërkombëtar për çmimin e naftës, ra me më shumë se 9%, duke zbritur nën nivelin e 88 dollarëve për fuçi. Rënia vjen vetëm pak ditë pasi çmimi kishte kaluar pragun e 100 dollarëve për fuçi, në kulmin e tensioneve mes dy vendeve.
Lëvizja në treg u nxit nga deklaratat e ambasadorit amerikan në OKB, i cili tha se sulmet ndaj Iranit ishin ndërprerë për të dytën natë radhazi, për t’i hapur rrugë bisedimeve. Edhe një zëdhënës i ushtrisë iraniane konfirmoi se Teherani kishte pezulluar sulmet hakmarrëse në rajon.
Konflikti mes SHBA-së dhe Iranit ndikoi drejtpërdrejt në tregjet energjetike, pasi përshkallëzimi i luftimeve solli mbylljen de facto të Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme detare për transportin e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm. Përmes kësaj rruge kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë dhe LNG.
Në qershor, pas arritjes së një marrëveshjeje për ndërprerjen e operacioneve ushtarake dhe rihapjen e ngushticës, çmimi i naftës kishte zbritur sërish në rreth 70 dollarë për fuçi. Megjithatë, prishja e armëpushimit në fillim të këtij muaji riktheu pasigurinë në tregje dhe çmimet u ngjitën sërish mbi 100 dollarë për fuçi.
Shqetësimet u shtuan edhe nga sulmet e milicive Houthi në Jemen ndaj anijeve cisternë në Detin e Kuq, duke rritur frikën për ndërprerje të tjera në rrugët kryesore të eksportit të naftës.
Luhatjet e çmimit të naftës pritet të kenë ndikim edhe te konsumatorët, pasi rritja e kostos së karburanteve zakonisht shoqërohet me shtrenjtimin e transportit, ushqimeve dhe mallrave të tjera, duke ushqyer presionet inflacioniste.
Në këtë kontekst, bankat qendrore vijojnë të monitorojnë zhvillimet në tregjet energjetike. Në qershor, Banka Qendrore Evropiane rriti normën bazë të interesit për herë të parë pas gati tre vitesh, duke argumentuar se konflikti kishte shtuar presionet inflacioniste. Ndërkohë, tregjet presin që Banka e Anglisë të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në mbledhjen e saj të radhës, ndërsa pritshmëritë për ulje të normave gjatë këtij viti janë zbehur.


