Spanja është skuadra e radhës që siguron një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës. Në një duel spektakolar ndaj Portugalisë, iberikët triumfuan 1-0 falë golit të Mikel Merinos në minutat shtesë, duke i dhënë fund rrugëtimit të Cristiano Ronaldos në turne.
Ndeshja nisi me dominimin e Spanjës, e cila krijoi rastet e para të rrezikshme që në minutat e para. Në të tretën, Mikel Oyarzabal provoi nga distanca, por u ndal nga Diogo Costa. Pak minuta më vonë, sulmuesi spanjoll doli i vetëm përballë portierit, por nuk arriti të shënonte. Edhe pse arbitri sinjalizoi pozicion jashtë loje, pamjet televizive treguan se vendimi ishte i diskutueshëm.
Në minutën e 16-të ishte radha e Lamine Yamal të vinte në provë portierin portugez me një goditje të bukur, ndërsa në vazhdim Alex Baena provoi nga afër, por Costa u shfaq sërish vendimtar me një tjetër pritje spektakolare.
Pas presionit fillestar të spanjollëve, Portugalia filloi të fitonte terren dhe në minutën e 37-të krijoi rastin më të mirë me Cristiano Ronaldon. Pas një topi të devijuar në zonë, sulmuesi tentoi me kthesë drejt portës, por goditja e tij nuk ishte mjaftueshëm e fortë për të mposhtur Unai Simon.
Pak para pushimit, Spanja iu afrua golit kur goditja e Mendez u devijua nga Porro dhe përfundoi në shtyllë.
Pjesa e dytë nisi me një goditje për Portugalinë, pasi Nuno Mendes u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një dëmtimi, duke i lënë vendin Semedos.
Me kalimin e minutave, ritmi mbeti i lartë, por të dyja skuadrat treguan kujdes për të mos humbur ekuilibrin. Spanja kërkonte hapësira përmes Yamalit, ndërsa Portugalia u përpoq të shtonte forcën sulmuese me aktivizimin e Rafael Leaos.
Kur gjithçka po shkonte drejt kohës shtesë, erdhi momenti vendimtar. Në minutën e parë shtesë, Ferran Torres shërbeu në mënyrë perfekte për Mikel Merinon, i cili finalizoi me qetësi përballë Diogo Costës, duke i dhënë Spanjës golin e fitores.
Portugezët tentuan të reagonin në minutat e mbetura, por mbrojtja spanjolle rezistoi deri në fund, duke vulosur kualifikimin në çerekfinale.
Në fazën e tetë skuadrave më të mira, Spanja do të përballet me fituesen e çiftit SHBA–Belgjikë.


