Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga atmosfera e mbrëmjes në Tiranë, ku në të njëjtën kohë zhvillohen protesta qytetare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa mijëra qytetarë ndjekin ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit në ekranet gjigante të vendosura në qendër të kryeqytetit.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë e cilësoi Tiranën si “kryeqyteti i Europës së Ballkanit”, duke e shoqëruar postimin me vargje nga kënga “Tirona”, e interpretuar prej tij së bashku me grupin West Side Family.
“Live nga kryeqyteti i Europës së Ballkanit. Kjo osht Tirona jon, Tirona kontradiktës. E luftës, e paqes, e errësirës dhe e dritës. Mashtrimit, të vërtetës, shpifjes, interesit, e qejfit dhe e stresit, ahengut dhe biznesit”, shkroi Rama.

Postimi vjen në një kohë kur në kryeqytet vijojnë prej 37 ditësh protestat e nisura kundër investimit në Zvërnec, të cilave më pas u janë shtuar edhe kërkesa të tjera me karakter politik dhe institucional nga organizatorët.
Në të njëjtën kohë, sheshi “Skënderbej”, ambientet publike dhe shumë lokale të Tiranës janë mbushur me qytetarë që ndjekin ndeshjet e Kampionatit Botëror të Futbollit në ekranet gjigante të vendosura nga Bashkia e Tiranës dhe operatorë privatë, duke krijuar një atmosferë festive në kryeqytet.


