Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, u ka bërë thirrje të rinjve të aplikojnë në programin e studimit “Siguria dhe Hetimi” në Akademinë e Sigurisë, duke e cilësuar karrierën në Policinë e Shtetit si një mision në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Lamallari theksoi se zgjedhja për t’iu bashkuar Policisë së Shtetit është një vendim që lidhet me vlerat, përgjegjësinë dhe përkushtimin ndaj shërbimit publik.
“Ka momente në jetë kur nuk zgjedh thjesht një profesion, por një mision. E tillë është edhe karriera në Policinë e Shtetit. Nëse beson se ndershmëria, guximi dhe përgjegjësia nuk janë vetëm fjalë, por vlera për të cilat ia vlen të jetosh e të shërbesh, atëherë vendi yt mund të jetë në Akademinë e Sigurisë”, shprehet ministri.
Ai ftoi të rinjtë të bëhen pjesë e programit “Siguria dhe Hetimi”, duke nënvizuar se Policia e Shtetit ka nevojë për profesionistë të rinj që të kontribuojnë në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
“Ju ftoj të aplikoni për programin ‘Siguria dhe Hetimi’ dhe të nisni një rrugëtim sfidues si shërbëtorë publikë të ligjit në Shqipërinë e sotme dhe në Shqipërinë e së nesërmes në Bashkimin Evropian. Policia e Shtetit ka nevojë për një brez të ri vajzash dhe djemsh që duan të bëjnë diferencën, të mbrojnë qytetarët dhe të mbajnë me krenari uniformën e shtetit. Shqipëria ka nevojë për më të mirët”, u shpreh Lamallari.
Ministri kujtoi se kanë nisur aplikimet për programin “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë “Bachelor”, për vitin akademik 2026–2027. Për këtë vit janë shpallur 60 kuota për maturantët që kanë përfunduar arsimin e mesëm, ndërsa aplikimet do të kryhen përmes portalit U-Albania në periudhën 27 korrik – 1 gusht 2026.
Procesi i konkurrimit përfshin shqyrtimin e dokumentacionit, testimin fizik, intervistën me gojë, testin psikologjik, kontrollin mjekësor dhe verifikimin e besueshmërisë. Testimet do të zhvillohen nga 5 deri më 19 gusht, ndërsa rezultatet paraprake do të publikohen më 22 gusht. Pas përfundimit të procedurës së ankimit, lista përfundimtare e fituesve do të shpallet më 26 gusht, ndërsa regjistrimet do të vijojnë deri më 8 shtator.
Sipas kritereve të përzgjedhjes, nota mesatare e arsimit të mesëm do të ketë peshën më të madhe në vlerësimin përfundimtar me 50%, testi fizik do të vlerësohet me 30% dhe intervista me gojë me 20%. Testi psikologjik dhe kontrolli shëndetësor do të kenë karakter kualifikues, me vlerësim “kalues” ose “jokalues”.
Kandidatët që do të shpallen fitues do të nënshkruajnë kontratë me Akademinë e Sigurisë dhe do të angazhohen të shërbejnë në strukturat e Policisë së Shtetit për një periudhë minimale trevjeçare pas përfundimit të studimeve.


