Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismailaj, është paraqitur sërish ditën e sotme në ambientet e SPAK-ut, në kuadër të një çështjeje penale ndaj tij dhe dy personave të tjerë.
Sipas burimeve, Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet ndaj Agim Ismailajt, Zambak Gjonit dhe Arnold Rrokajt, të dyshuar për përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike, të kryer në kuadër të një grupi kriminal.
Më herët, Ismailaj ishte nën hetim për tre vepra penale: përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike, kryerje të veprimeve në kuadër të grupit kriminal dhe pjesëmarrje në grup kriminal. Rasti u bë publik më 12 mars të këtij viti, kur u sinjalizua hakerimi i kompjuterëve, çka çoi në arrestimin e ish-zyrtarit të burgjeve Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokajt.
Sipas hetimeve, Arnold Rrokaj dyshohet se ka thyer kodet e sigurisë së kompjuterëve, duke siguruar materiale që më pas ia ka përcjellë Zambak Gjonit, i cili nga ana e tij ia ka dërguar këto të dhëna Agim Ismailajt.
SPAK pritet të ndërmarrë hapat e mëtejshëm proceduralë për këtë çështje.


